Ëndrra e realizuar dhe frymëzuesi i tij, rrëfehet Faton Xhemaili

112

Faton Xhemaili, i riu nga Bujanovci, provoi të vishte fanellën kuqezi në muajin nëntor. Një dhuratë për ditëlindje: më 15 të këtij muaji mbushi 20 vjeç. Xhemaili është pjesë e Radnik Surdulica, në elitën e futbollit serb dhe ndihet mirë atje. Sigurisht do donte të luante më shumë. Deri më tani është aktivizuar vetëm në Kupë.

Në një intervistë për “SportEkspres.com” ai ka rrëfyer ditët kuqezi, si u ndje, udhërrëfyesin e tij në futboll dhe të ardhmen. E thotë hapur, që nëse do të ketë ndonjë opsion të mirë, do të largohej nga ekipi aktual. Minutat janë të rëndësishme për t’u rritur dhe për të qenë sërish pjesë e Shqipërisë U21.

INTERVISTOI: VLADIMIR PRENGA

Faton, për herë të parë provoni të vishni fanellën e kombëtares. Na tregoni diçka më shumë për veten, që edhe njerëzit t’iu njohin më shumë…
-Po, për herë të parë vesha fanellën e kombëtares kuq e zi. Ishte një ëndërr, dhe një ndjenjë shumë emocionuese për mua, që u bë realitet. Unë jam nga Bujanovci dhe luaj në kampionatin serb tek ekipi FK Radnik. Sikurse e dini, luan në krahun e majtë të mbrojtjes.

Si çdo futbollist do kishit dashur më shumë minuta, por me siguri hera e parë me fanellën kuqezi do të mbahet mend gjithmonë nga ju. Na thoni diçka për ndjenjën që përjetuat në fushë?
-Normalisht do të dëshiroja minuta më shumë, si çdo lojtarë që do të luajë për kombëtaren dhe ta japë më të mirën. Por vendimet e trajnerit duhen respektuar dhe të presim për ndeshjet e radhës. Po do ta mbaj mend gjithmonë gjatë jetës time debutimin me fanellën e kombëtares tonë. Me është dukur si ëndërr, ishte një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Falënderoj edhe profesor Bushin për shansin që ma dha të debutoj me Shpresat.

Si u pritët nga stafi dhe shokët e skuadrës? Me kë prej tyre u lidhët më shumë?
-Si shokët, ashtu edhe stafi i skuadrës, më kanë pritur shumë mirë. I falënderoj të gjithë për pritjen e mirë që ma bënë, e sidomos edhe me surprizën që ma bënë për ditëlindje. Nuk do ta harroj kurrë në jetë./EspresSport/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *