Ambasadori i SHBA-së në Beograd: Kosova është një vend sovran

835

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Kyle Scott, tha sot se Qeveria e Kosovës nuk është e ashtuquajtur, por Qeveri e Kosovës, e cila është një shtet i pavarur dhe sovran, me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, raporton portali serb Blic, transmeton zeri.info

Scott në këtë mënyrë është përgjigjur në Qeverinë serbe në pyetjen e një gazetari sesa ka shpresë për paqe, kur vazhdimisht është duke u bërë presion mbi Serbinë për bisedime me të ashtuquajturën Qeverinë e Kosovës.

“Nuk është e ashtuquajtura Qeveri e Kosovës, por Qeveri e Kosovës, ne e konsiderojmë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Ata janë përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës dhe me ta ne kemi kontakte si me çdo përfaqësues të disa vendeve të rajonit”, tha diplomati amerikan.

Scott ka thënë se stabiliteti në rajon ka mund të jetë më i mirë, por se ekziston përparim dhe se njëri nga faktorët kryesor është pikërisht zhvillimi ekonomik.

“Njëra nga mënyrat është edhe projekti i korridorit të Moravës për të cilin po flasim sot, i cili do të ndikojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Serbisë dhe do të sjellë stabilitet ekonomik dhe politik”, ka thënë Scott.

Ambasadori amerikan ka qenë i pranishëm në Qeverinë e Serbisë në nënshkrimin e memorandumit për bashkëpunim me kompaninë amerikane Bechtel për projektin e ndërtimit të korridorit të Moravës./Zeri




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *