Reciprociteti shpëton Luginën e Preshevës

1905

Shkruan: Shaip Kamberi

Kosova me arsye e mbron qëndrimin se shkëmbimi i territoreve është opsion disfatist; por nuk ka arsye që në këto bisedime “finale” me Serbinë të mos e përfshihet çështja e të drejtave të shqiptarëve dhe pozita politike e tyre në raport me të drejtat e serbëve në Kosovë. Nëse reciprociteti absolut nuk do të jetë i mundshëm, për shkak të siç thuhet trajtimit të Kosovës si rast “sui generis”, ka shumë segmente të drejtash dhe kërkesash të shqiptarëve që mund të trajtohen në këto bisedime.

Nën ekzaltimin mbarëkombëtar të mënyrës së festimit të golave ndaj përfaqësueses së Serbisë në Kaliningrad, nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, në Bruksel Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën fazën, siç po quhet përfundimtare, të bisedave Kosovë-Serbi, e cila do të duhej të përmbyllet me një “marrëveshje gjithëpërfshirëse”, “juridikisht obligative” për dy shtetet.

Shpeshherë, dyja palët përmendin kompromiset që duhet bërë, por që në asnjë rast nuk përmendet se ç’nënkuptojnë këto kompromise? A do të jetë kjo triumf i formulës “win-win” apo “win-lose”? Ç’nënkupton njëra dhe çka tjetra? Gati askush nuk e di.

Në Serbi, në funksion të arritjes së një konsensusi nacional për çështjen e Kosovës u organizua një “dialog i brendshëm,” që nuk dha asgjë të re në krahasim me qëndrimin e mirënjohur serb rreth Kosovës. Aq më tepër, nga analistë vendorë u cilësua si një proces i cili e izoloi Presidentin Aleksandar Vuçiq.

Edhe në Kosovë janë organizuar takime, tryeza, konferenca në të cilat janë dhënë opsione të ndryshme për marrëveshjen përfundimtare të cilësuar si “Finalja e madhe”. Në  këto debate u bë e qartë se për Kosovën, opsioni më i padëshirueshëm është ai i ndarjes së Kosovës dhe opsioni i shkëmbimit të territoreve.

Ndërkohë në Serbi, në formën gjysmë-zyrtare, sipas një analize të Fondit për Shoqëri të Hapur, opsioni i shkëmbimit përmendet si opsioni më i dëshirueshëm. Në fakt opsioni i shkëmbimit, bazuar në këtë analizë nënkupton “kosovarizimin” e komunës së Preshevës në shkëmbim të katër komunave serbe në veri të Kosovës duke lënë jashtë këtij procesi komunën e Bujanocit dhe Medvegjës dhe 5 fshatra shqiptare të komunës së Preshevës që gjenden në anën e kundërt të hekurudhës dhe Korridorit 10.

Ditë më parë, partia e presidentit Vuçiq, (SNS), në Bujanoc ka organizuar një takim me anëtarësinë vet, në të cilin, sipas disa burimeve, është prezantuar një anketë e kësaj partie e bërë për çështjen e Kosovës dhe marrëveshjen përfundimtare. Pjesëmarrësve në këtë takim i qenka paraqitur fakti se 75% e burrave serbë qenkan shprehur të gatshëm për të “luftuar për Kosovën”. Si rrjedhojë, trumbetohet se presidenti Vuçiq po kërkon angazhimin sa më të madh të gjinisë femërore për të dalë me sukses në një referendum të cilin parashikon ta mbajë në shtator të këtij viti.

Në kontekstin e zhvillimeve politike rreth Kosovës dhe arritjes së një marrëveshje me Serbinë, padyshim se vullneti i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i shprehur edhe në Referendumin e vitit 1992, është bashkimi me Kosovën; por jo në skenaret e shkëmbimit të përgatitura nga Beogradi dhe jo duke e trajtuar Luginën e Preshevës në mënyrë parciale –vetëm përmes komunës së Preshevës – e sidomos jo kur ky opsion nënkupton rrezikim të integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës.

Por, njëkohësisht duhet thënë qartë se Lugina e Preshevës, në situatën në  të cilën ndodhet vitet e fundit, e nënshtruar nga presioni politik dhe ekonomik nga Beogradi, është afër kufijve të durimit. Si pasojë e kësaj gjendje, shumë shqiptarë po largohen në drejtim të vendeve të Evropës duke e rrezikuar në mënyrë serioze bërthamën kombëtare në këtë rajon. Prandaj, ajo, kësaj radhe, në fazën finale të bisedave me Serbinë, do trajtim adekuat në radhë të parë nga institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.

Derisa në Kosovë nuk ka asnjë paralajmërim se Lugina e Preshevës mund të jetë temë e këtyre bisedave, edhe me arsyen e thjeshtë se këto nuk “janë bisedime shqiptaro-serbe”, por bisedime “Kosovë-Serbi”, njerëz të zakonshëm, nga jeta e përditshme, artistë, qytetarë,  përmes internetit kanë filluar fushatën e sensibilizimit të këtij problemi me moton: “Lugina do zgjidhje!”.

Kosova me arsye e mbron qëndrimin se shkëmbimi i territoreve është opsion disfatist; por nuk ka arsye që në këto bisedime “finale” me Serbinë të mos e përfshihet çështja e të drejtave të shqiptarëve dhe pozita politike e tyre në raport me të drejtat e serbëve në Kosovë. Nëse reciprociteti absolut nuk do të jetë i mundshëm, për shkak të, siç thuhet, trajtimit të Kosovës si rast “sui generis”, ka shumë segmente të drejtash dhe kërkesash të shqiptarëve që mund të trajtohen në këto bisedime.

Fundja, dy shtetet mund të jenë fqinj të mirë nëse trajtimi i pakicave kombëtare bëhet në mënyrë adekuate dhe me standarde të njëjta. Ndryshe, si do të mund që Kosova ta trajtojë Serbinë një fqinj të mirë, nëse Serbia vazhdon t’i trajtojë shqiptarët e Luginës së Preshevës me standarde diskriminuese?

Aq më tepër paqja dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, pashmangshëm janë të lidhura me standardet dhe trajtimet unike që duhet krijuar për pakicat kombëtare. Nëse, në rast të një marrëveshje eventuale Kosovë-Serbi, të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të mbeten peng vetëm i vullnetit politik të Beogradit, vullnet ky i cili me vite po dëshmohet si diskriminues, nuk do të mund të flitet për një stabilitet afatgjatë të këtij rajoni. E stabilitet afatgjatë nuk mund të ketë pa Luginën e Preshevës.

(Autori është kryetar i Komunës së Bujanocit)




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *