PVD: Ende nuk kanë përfunduar zgjedhjet në Preshevë, nuk ka as koalicion fitues

108

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar, kryesia e Partisë për Veprim Demokratik, ka reaguar ndaj takimit të zhvilluar në Prishtinë, në mes të kryeministri Ramush Haradinaj dhe dy protagonistëve për qeverisjen e ardhshme të Preshevës, Shqiprim Arifit dhe Sami Salihut.

PVD, ka sqaruar se zgjedhjet ende nuk kanë përfunduar në Preshevë, dhe se ende nuk ka fitues përfundimtar të zgjedhjeve.

Nga mediat u informuam se dje kryetari i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Ramush Haradinaj, ka pritur në takim udhëheqësit e “koalicionit fitues” të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunën e Preshevës.

Së pari është e domosdoshme të njoftojmë se këto zgjedhje në komunë të Preshevës ende nuk kanë përfunduar. Në ditën kur është zhvilluar ky takim në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Komisioni komunal zgjedhor ka vendosur që zgjedhjet të përsëriten në 5 vendvotime me 7.300 votues, që paraqesin rreth 20 % të numrit të përgjithshëm të votuesve. Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se në këto zgjedhje nuk kishte koalicione parazgjedhore, andaj edhe nuk ka koalicion fitues parazgjedhor, sikur që është e qartë se pa përfunduar zgjedhjet askush nuk mund të shpallet fitues.

Është e njohur se pas emërimit të paligjshëm të organit të përkohshëm, që u shndërrua në organ të dhunshëm, kur Qeveria serbe i siguroi monopol absolut kryetarit dhe nënkryetarit të APN – së dhe kryetarit të degës së SNS – it të Vuçiqit, duke e margjinalizuar padrejtësisht shumicën prej 71 % të këshilltarëve të partive tjera shqiptare në Kuvendin e shkarkuar.

Emërimi i kryetarit të APN – së, Shqiprim Arifi për kryetar të organit të përkohshëm me shkelje drastike ligjore, në vend të kryetares së komunës Ardita Sinani, ishte paralajmëruar qysh më 25 prill, kur kryetari i atëhershëm i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte bërë reagim të paprecedent kundër shkarkimit të tij nga funksioni i kryetarit të komunës së Preshevës, që ishte bërë me 10 mars në procedurë krejtësisht demokratike nga ana e Kuvendit të komunës së Preshevës.

Në situatë kur APN si projekt i pakontestueshëm i Qeverisë serbe ka siguruar monopol absolut në shfrytëzimin joligjor të buxhetit komunal në funksion të fushatës zgjedhore të saj, kryetarit të organit të dhunshëm i nevojitej edhe përkrahja politike nga Kosova, për çka edhe gjatë tërë kohës ishte angazhuar me ngulm që të siguroj takim me udhëheqës më të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës.

Andaj edhe takimi i djeshëm në Qeverinë e Kosovës vetëm me përfaqësues të dy listave zgjedhore, që sigurisht është i parakohshëm, padrejtësisht do të përdoret prej tyre për fushatë zgjedhore në përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimet, që pas vendimit të theksuar të Komisionit komunal zgjedhor definitivisht do të vendos Gjykata administrative në Beograd.

Është shumë e qartë se Presheva dhe në përgjithësi Lugina e Preshevës ka nevojë të madhe për ndihmën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Posaçërisht në këtë drejtim është me rëndësi që definitivisht të filloj të realizohet Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për Luginën e Preshevës.

Mirëpo, për problemet e rënda jetësore me të cilat po ballafaqohen Shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të bisedohet vetëm me përfaqësues legjitim, me deputetin e Shqiptarëve në Serbi, me kryetarin e Këshillit Nacional, me udhëheqësit legjitim të Bujanocit dhe Medvegjës, natyrisht edhe me udhëheqësit e Preshevës, por pasi të konstituohen organet e pushtetit lokal pas përfundimit të procesit zgjedhor./Lugina-Lajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *