Ja liderët politikë e institucional nga Kosova dhe Lugina që përkujtuan jetën dhe veprën e Jonuz Musliut

24

Janë shumë liderë politikë e institucional që nëpërmjet profileve zyrtare të facebook-ut, kujtuan jetën dhe veprën e kryetarit Jonuz Musliut, me t’u informuar se Musliu, ka ndërruar jetë në Turqi.

Është presidenti Hashim Thaçi që ka kujtuar Musliu si një veprimtar të shquar.

“Me dhembje mora lajmin për vdekjen veprimtarit të shquar Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Jonuz Musliu dha një kontribut të vazhdueshëm për avancimin e të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Jonuz Musliu po ashtu dha kontribut në procesin e çlirimit të Kosovës.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Musliu” – ka shkruar Thaçi

Ramush Haradinaj, kryeministër I Kosovës, ka shkruar në facebook, se me dhembje morra lajmin për vdekjen e luftëtarit të lirisë.

“Me dhembje mora lajmin për shuarjen e luftëtarit të lirisë, ish komandant i UÇMPB-së dhe Kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu.

Musliu, një jetë njeriu i është përkushtuar zgjidhjes së drejtë të çështjes së shqiptarëve në Luginë, luftëtar i paepur i të drejtave të njeriut, mik dhe familjar i mirë, do t’i mungojë familjes së tij, dhe komunitetit.

I qoftë i lehtë dheu!” – ka shkruar Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me dhembje e ka kujtuar bashkëluftëtarin e UÇK-së, Jonuz Musliun.

“Me keqardhje të madhe mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të njërit prej miqve dhe bashkëluftëtarëve të mi të UÇK-së, Jonuz Musliut. Jonuzi ka qenë një ndër veprimtarët më të hershëm dhe më kontribues në përpjekjet e popullit tonë për liri e barazi dhe gjithë jetën ai ia ka dedikuar kauzës kombëtare. Ikja e tij e parakohshme jo vetëm që pikëllon familjarët, miqtë e bashkëpunëtorët e tij por edhe lë një boshllëk të madh në sferën politike të bashkëkombëseve tanë në Luginën e Preshevës” – ka shkruar Veseli.

Edhe ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, ka kujtuar Jonuz Musliun, duke e cilësuar se i ndjeri i ka takuar brezit të idealistëve.

“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit Jonuz Musliu, ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, kryetarit të Kuvendit Komunal të Bujanocit dhe Këshillit Nacional Shqiptar. Jonuz Musliu i takon atij brezi të idealistëve të çështjes kombëtare, që u angazhuan me gjithë qenien në jetën e tyre, me të vetmin qëllim avancimin dhe përmirësimin e të drejtave politike, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve. Jonuz Musliu me veprimtarinë e tij aktive politike dhe përpjekjen konstante, do të mbetet një shembull i përhershëm në mbamendjen tonë kolektive dhe inspirim për gjeneratat e reja, veçanerisht për përkushtimin e tij në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Musliu dhe bashkëveprimtarët” – ka shkruar Tahiri.

Edhe liderët e Luginës së Preshevës, kanë kujtuar Jonuz Musliun, nga ku kanë shpreh ngushëllime të sinqerta ndaj familjes Musliu.

Kryetari i PDSH-së në Preshevë, Ragmi Mustafa, ka shkruar:

“Me pikëllim të thellë mësova se miku im Jonuz Musliu është ndarë nga jeta.

Lajmi për vdekjen në moshë të re të veprimtarit të çështjes kombëtare si dhe politikanit Jonuz Musliut, na ka tronditur shumë dhe e kam të vështirë të gjej fjalët e duhura për të përshkruar personalitetin e tij.

Vdekja e hershme e Jonuz Musliut është humbje e jashtëzakonshme për Ju, familje Musliu, për botën shqiptare, për miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë vepruar me të.

Jonuz Musliu shquhej për mprehtësinë politike, thellësinë intelektuale, transparencën e ideve dhe konceptimin global të çështjes shqiptare. Ai la gjurmë të thella në kuadër të lëvizjes së përgjithshme për çlirimin e shqiptarëve, duke artikuluar individualitetin e tij në parti politike, në krijimin e opinionit publik, në trajtimin dhe vlerësues të pozitës së shqiptarëve në shekullin e kaluar dhe shekullin aktual.

E shfrytëzoj ketë rast të dhimbshëm për t’iu shprehë ngushllime të sinqerta familjes, farefisit dhe gjithë miqëve të tij.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Kryetarin, Jonuz Musliu” – ka shkruar Mustafa në facebook.

Ndërsa, vdekjen e kryetarit Jonuz Musliu e ka kujtuar edhe Shqprim Arifi i APN.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta e ish liderit politik të UÇPMB-së, Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptarë, Kryetarit të Kuvendit Komunal të komunës së Bujanocit, si dhe kryetarit të LPD – së, z. Jonuz Musliu.

Ndarja nga jeta është një humbje e madhe për familjen Musliu, njëkohësisht është një humbje e madhe për Luginën e Preshevës, ngase kontributi i tij për popullin shqiptar në Luginë të Preshevës dhe përkushtimi i tij gjatë konfliktit të vitit 2001, la gjurmë të çmuara.

Të nderuar familjarë, shokë e dashamirë të zotit Musliu, më lejoni që në emrin tim personal si dhe në emër të të gjithë anëtarëve të Alternativës për Ndryshim, tju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.

U prehtë në paqe dhe i lehtë i qoftë dheu” – ka shkruar Arifi.

Edhe kryetarja e degës së PVD-së në Preshevë, Ardita Sinani, ka kujtuar Jonuz Musliun.

Sinani ka shkruar: “Me dhimbje të madhe mora lajmin për vdekjen e Jonuz Musliut, veprimtarit të çështjes kombëtare!
Më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Musliu, ish veteranëve të luftës, bashkëpunëtorëve të tij dhe të gjithë atyre që e njohën! 
I qoftë i lehtë dheu i Luginës: – përfundon Sinani.

Nga Bujanoci, për vdekjen e kryetarit Jonuz Musliu, ka ‘reaguar’, kryetari i PD-së, Nagip Arifi, nëpërmjet postimit në facebook.

“Partia Demokratike me seli në Bujanoc shpreh ngushllimet më të sinqerta familjes dhe popullit shqiptar në Luginë me rastin e vdekjes së Jonuz Musliut, kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, njëherit kryetar i Kuvendit Komunal në Bujanoc, kryetar i LPD-së dhe ish lider politik i UÇPMB-së.

PD konsideron lartë kontributin e z.Musliu në udhëheqjen dhe zhvillimin e luftës së UÇPMB-së, Gjithashtu, edhe në jetën politike z.Musliu dha kontribut të vazhdueshëm në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe nuk pushoi së luftuari për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar deri në momentet e fundit të jetës së tij.

PD ndanë dhembjen me familjarët, farefisin, miqtë, ish ushtarët e UÇPMB-së, bashkëpartiakët e tij dhe gjithë qytetarët shqiptarë, dhe lutet sinqerisht te Zoti që ta mëshirojë dhe ta shpërblejë me të mirat e tij” – ka shkruar Arifi.

Jonuz Musliu, ka ndërruar jetë gjatë së enjëtes (dje), në spitalin universitar të Edrenës në Turqi. Varrimi i të ndjerit pritet të bëhet të shtunën në fshatin e lindjes në Konçul./Lugina-Lajm/

 

 

 




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *