PVD: Qeveria serbe margjinalizoi 71% të përfaqësuesve preshevar me emrimin e Shqiprim Arifit

90

​Pas vendimit diskriminues të Qeverisë serbe në të cilin u shkarkua Kuvendi Komunal i Preshevës dhe u caktua organi i përkohshëm joligjorë, kryetarja e Qeverisë, Ana Brnabiq u mundua t’a relativizojë këtë vendim të dëmshëm duke deklaruar se “në Preshevë kishte probleme pasi ishte ndrruar kryetari i komunës dhe nuk kishte funksionuar Kuvendi”, duke shtuar më tej se “Qeveria e Serbisë nuk përzihet në këto çështje”.
​Në fakt me këtë rast Qeveria serbe dhe kryetari i Republikës së Serbisë kanë ndërhyrë në formën më të vrazhdë në destabilizimin e strukturave të pushtetit lokal në Preshevë.
​Për hirë të së vërtetës duhet të theksohet se pas seancës së 10 marsit, kur u shkarkua ish kryetari i komunës, Kuvendi i komunës së Preshevës i ka mbajtur edhe 4 seanca tjera. Ndërsa në momentin kur u aplikuan masat e përkohshme Ardita Sinani ishte në këtë funksion më shumë se 6 muaj, dhe gjatë kësaj kohe kishte edhe takim pune me Ana Brnabiq, sa ishte ministre e pushtetit lokal. Andaj është krejtësisht tendencioze kur kryetarja e Qeverisë në deklaratën e saj ende merret me kryetarin e shkarkuar e jo me Ardita Sinanin që ishte duke e ushtruar funksionin e kryetarit të komunës së Preshevës gjer në momentin kur u vendosën masat e përkohshme.
​Vendimi diskriminues i Qeverisë serbe ishte krejtësisht i pritur kur dihen deklaratat e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që i kishte dhënë në Leskovc më 25 prill të këtij viti. Atëherë kryeministri Vuçiq, pas kritikave të ashpra drejtuar kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetarit të Kosovës, kishte deklaruar se “kryetari i komunës ishte ndrruar sipas porosisë politike nga ndonjë anë tjetër” dhe se “EU është duke i nënçmuar zhvillimet në pushtetin lokal të Bujanocit” (lexo Preshevës).
​Me këtë rast Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se “në Preshevë janë ndërruar njerëzit e mirë të cilët kanë punuar mirë me ne”.
​Është krejtësisht e qartë se ky vendim diskriminues i Qeverisë serbe nuk ka të bëjë fare me vlerat europiane, por në realitet paraqet një kthim prapa katastrofal në praktikat e dështuara politike serbe që manipulonin me modelin e shqiptarëve të ndershëm.
​Pra, kemi të bëjmë me orientim anticivilizues të Qeverisë serbe e cila kurrsesi nuk është duke pranuar që për zgjidhjen e çështjes së Shqiptarëve në Serbi e posaçërisht në Luginë të Preshevës, të sigurojë qasje serioze, transparente e demokratike, por me kokëfortësi po vazhdon avazin e vjetër të imponimit të metodave nënçmuese, klandestine dhe korruptive.
​Pikërisht me këtë logjikë anticivilizuese Qeveria serbe duke i thyer rëndë normat ligjore imponoi në formën autokrate organin e përkohshëm për komunë të Preshevës, në të cilin e instaloi për kryetar Shqiprim Arifin duke i siguruar monopol absolut me anë të dy anëtarëve tjerë, njëri nga partia e tij e tjetrin nga SNS i Vuçiqit edhepse të gjithë këta kishin 11 nga 38 këshilltarë në Kuvendin komunal të shkarkuar. Ndërsa, shumë rëndë u margjinalizuan të gjitha partitë tjera politike shqiptare të cilat në këtë Kuvend kishin 27 këshilltarë apo 71.1% të forcës zgjedhore nga zgjedhjet e fundit lokale në Preshevë.
​Ky monopol absolut që po i sigurohet kryetarit të shkarkuar në seancën e 10 marsit të vitit 2017 po vie pikërisht në kohën kur Institucioni shtetërorë i revizionit ka paraqitur raport në bazë të cilit të gjitha prokurimet që i udhëhoqi ai janë në kundërshtim flagrant me Ligjin për prokurime publike.
​Me këtë rast është e domosdoshme të theksohet se në Bujanoc me anë të iniciativave për formim të strukturave paralele të mbështetura nga deputeti i SNS – it, gjithashtu po tentohet të destabilizohen strukturat e pushtetit lokal.
​Këto veprime antiligjore dhe diskriminuese me të cilat po cenohen rëndë të drejtat politike dhe të drejtat elementare të njeriut në Luginë të Preshevës, po zhvillohen pikërisht në kohën kur serbët e Kosovës pos të drejtave substanciale që i kanë të siguruara me Kushtetutën e Kosovës, po sigurojnë edhe forcë shumë të rëndësishme politike në kuadër të Qeverisë së re të Kosovës.
​Në këtë situatë të rëndë janë të domosdoshme kontaktet me partitë tjera Shqiptare për koordinimin e qëndrimeve dhe modaliteteve të veprimit në mbrojtjen e interesave vitale të popullatës Shqiptare që janë të rrezikuara nga veprimet diskriminuese të Qeverisë serbe.
​Për situatën aktuale dhe për këto probleme të rënda do të njoftohen OSBE, EU, Ambasadorët e grupit të miqëve të Luginës së Preshevës, natyrisht edhe Qeveria e Shqipërise dhe ajo e Kosovës.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *