Klimë jo e favorshme në Kosovë, bizneset turke ikin në Maqedoni e Serbi

41

Vitin e kaluar Kosova kishte shënuar rënie të investimeve, kurse sivjet situata nuk duket të jetë më e mirë se vitin e kaluar.

Në garën për të krijuar klimë të favorshme dhe masa stimuluese për investitorë, si duket Kosova po ngec me rajonin. Gjatë një takimi që ministri i Financave Bedri Hamza, zhvilloi me drejtues të shumtë të Asociacioneve të Bizneseve në Kosovë, drejtori i Odës Ekonomike Turko Kosovare Arben Fetahu, potencoi se është brengosës fakti që gjatë muajve të fundit, kanë qenë disa biznese të mëdha turke që kanë qenë të interesuar të investonin në Kosovë, por kanë ikur në drejtim të Serbisë e Maqedonisë.

“Është brengosës ministër që gjatë shtatë muajve të fundit kemi pasur dy-tre biznese të mëdha të interesuara të vijnë të investojnë në Kosovë dhe ato kanë ikur në drejtim të Maqedonisë e Serbisë. Është ndoshta mirë të shohim se cilat janë ato masa stimuluese, të cilat këto vendet e rajonit po i ofrojnë e po bëjnë bizneset të ikin nga ne. Jam i vetëdijshëm që klima politike e krijuar muajve të fundit ka pasur ndikim këtu, por edhe masat stimuluese të këtyre dy vendeve po i tejkalojnë të cilat ne jemi në gjendje t’ua ofrojmë”, është shprehur Fetahu.

Fetahu theksoi se në Odën Turko – Kosovare, vijnë delegacione të shpeshta dhe të rregullta nga Turqia dhe do të duhej tu sqarohej atyre se çka ofron Kosova më shumë se sa vendet e rajonit.

“Dhe unë do të isha mirënjohës nëse ministria që ju e udhëhiqni dhe dy resorët kryesorë të saj, Doganat dhe ATK-ja të krijonin një mekanizëm për të sqaruar direkt investitorëve potencialë atë se çka ofrohet tek ne, kundrejt asaj se çka ofrohet tek shtetet e rajonit”, tha Fetahu.

***

Kërkohet marrëveshja për tregti të lirë Kosovë-Turqi, Klubi i Prodhuesve kundër

Gjatë pritjes që ministri i Financave Bedri Hamza, u bëri asociacioneve të bizneseve, drejtori i Odës Ekonomike Turko Kosovare Arben Fetahu, ka kërkuar edhe ratifikimin e marrëveshjes për Tregti të Lirë mes Kosovës e Turqisë. Fetahu me këtë rast i ngriti dy çështje që ndërlidhen direkt me punën e Odës.

“E para është mos-ratifikimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, mes Kosovës e Turqisë, marrëveshje kjo e cila është nënshkrua mes dy qeverive, ka katër vite tash dhe e dyta është fakti që, besoj se nuk është ndonjë befasi apo sekret që më së shumti biznese të interesuara për të ardhur për të investuar në Kosovë vinë nga Turqia”, u shpreh Fetahu.

Mirëpo, Vëllaznim Osmani nga klubi i prodhuesve të Kosovës u shpreh se marrëveshja për Tregti të Lirë mes Kosovës e Turqisë, nuk është i dobishëm për momentin.

“Mendojmë që sektori i prodhimit në Kosovë është vetëm në fazën e zhvillimit dhe nuk është ende i gatshëm për të përballuar një konkurrencë të madhe në kuptimin e tregtimit. Sa i përket klimës më të mirë për investime, qofshin biznese nga Turqia, Gjermania apo cilido vend, ne jemi të pajtimit që të krijohen kushte sa më të mira, mirëpo sa i përket marrëveshjes për tregti të lirë me Turqinë ne nuk pajtohemi”, u shpreh Osmani.

Ish-ministrja Kusari Lila në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, thoshte se marrëveshja garantonte heqjen e menjëhershme të tarifës doganore nga Turqia për të gjithë prodhuesit kosovarë që do të eksportojnë mallra industriale në Turqi.

“Kjo marrëveshje hap mundësi të mira për prodhuesit kosovar. Të gjitha produktet industriale kosovare dhe një numër i madh i produkteve bujqësore do të lejohen të hyjnë në Turqi me tarifë doganore zero, menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes”, thoshte ish ministrja.

Ndryshe, Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Turqinë, e kanë nënshkruar të gjithë vendet e rajonit.

***

Ministri i Financave Hamza, diskuton Pakon Fiskale me përfaqësues të bizneseve

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur drejtues të asociacioneve të bizneseve me të cilët diskutoi për politika të reja fiskale, si dhe për çështje të ndryshme me interes.

Ministri Hamza u fokusua tek Pakoja fiskale 2.0 për të cilën tha se asgjë çka është e mirë nuk do të ndryshohet, por për diçka që tani është paraqit nevoja do të ndryshohet.

“Veç një gjë ju kisha lut për mirëkuptim, përmes politikave fiskale nuk do të krijohet pabarazi në treg, ka edhe kërkesa të tilla, mirëpo është obligimi I yni të krijojmë barazi në treg, të krijojmë konkurrencë lojale dhe ata që janë më të zotë të zhvillohen e të ecin përpara”, ka thënë Hamza.

Por asociacionet e bizneseve në përgjithësi kërkuan të zbatohet Pakoja Fiskale 2.0 dhe të mos humbet më shumë kohë në diskutime e plotësime sepse do ta vonojnë implementimin dhe me këtë edhe do ti dëmtojnë bizneset, kryesisht prodhuese. Drejtori i Odës Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, duke theksuar se Pakoja e re Fiskale 2.0 nuk do të krijonte pabarazi në treg, kërkoi implementimin.

“Besoj se kjo duhet të bëhet në ditët në vijim pasi ashtu është paraparë edhe me vendimin e qeverisë paraprake, që të miratohet legjislacioni sekondar që do të mundësonte hyrjen në fuqi të kësaj pakoje”, tha Zeka.

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve AKB, theksoi se me Pakon Fiskale 2.0 dy vite është bërë marketing politik dhe janë mashtruar bizneset. Ai si edhe drejtues të Odave e asociacioneve tjera ekonomike, kërkuan vazhdimin e procedurave për hyrje në fuqi të Pakos.

***

Ministri Bedri Hamza priti në takim ambasadoren e Turqisë në Kosovë Këvëllxhëm Këllëç 

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur në takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë Këvëllxhëm Këllëç (Kıvılcım Kılıç). Me këtë rast, ministri Bedri Hamza dhe ambasadorja Këllëç, u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushat e interesit të përbashkët.

Ministri Hamza e njoftoi Ambasadoren për situatën Makro-Fiskale në vend. Në takim u diskutua edhe për rëndësinë që ka bashkëpunimi ekonomik në mes të dy vendeve.

Ministri Hamza gjithashtu e njoftoi Ambasadoren Këllëç për prioritetet e Ministrisë së Financave dhe për hapat e ardhshëm që do të ndërmerr, si dhe ndër të tjera e njoftoi ato edhe për prioritet e Qeverisë dhe planin e adresimit të sfidave në fushën e ekonomisë për ruajtjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e indikatorëve makro fiskal, si dhe për përkushtimin në fuqizimin e sektorit privat si bartës të rritjes ekonomike në vend, thuhet në njoftimin e ministrisë së financave.

***

Punëtorët e Trepçës ankohen për keqmenaxhim, Haradinaj nuk do luftë me drejtorët

Kryeministri Ramush Haradinaj është përballur me pakënaqësi të shumta të punëtorëve të minierës Trepça. Gjatë një vizite në kombinat, dhe bashkëbisedimi të hapur, punëtorët akuzuan menaxhmentin e Trepçës për punësime pa konkurs, nepotizëm, avancime pa kritere e keqpërdorime të tjera.

Kryeministri Haradinaj pasi u takua me drejtorin e Trepçës Ahmet Tmava dhe u informua për nevojën e zbatimit të ligjit për Trepçën, u nis bashkë me të dhe stafin e tij drejt minierës ku e pritën punëtorët. Mirëpo nga kryetari i Sindikatës Shyqeri Sadiku u dëgjuan kritika të ashpra ndaj menaxhmentit.

“Pjesa më e madhe e udhëheqjes me muaj por edhe me vite nuk shkojnë në minierë, por ka të tillë që me muaj nuk vinë në punë dhe i marrin pagat e plota, si dhe të tjerë që punojnë në menaxhment dhe i kanë pagat më të larta se minatorët në minierë. Ky prodhim që po ndodhë vetëm fal organizimit të punëtorëve”, ka thënë Sadiku.

Krye-sindikalisti i minatorëve kërkoi nga kryeministri Haradinaj formimin e një Komisioni shtetëror të përbërë nga auditorë dhe inspektorë për ti vërtetuar pohimet e tij për keqpërdorime në Trepçë. Mirëpo kryeministri Haradinaj i cili gjatë vizitës së mëhershme në KEK u tregua i ashpër, duke thënë se nuk do të tolerojë mos-punën dhe keq-menaxhimin, se do të sjellë një qeverisje ndryshe, por në këtë rast u tregua më i butë, duke kërkuar përafrim mes punëtorëve e menaxhmentit.

“Nuk mundemi të ndarë me i krye punët, nuk mundemi me luftë mes punëtorëve e menaxhmentit, besoni për me ec Trepça dhe na si Kosovë duhet gjetur mesin për të ecur përpara. Dëshira ime është për të gjetur atë mes bashkë me juve dhe të ecim”.

Megjithatë, shprehja e pakënaqësive të punëtorëve vazhdoi në bashkëbisedim me kryeministrin Haradinaj.

“Nuk iu keni nënshtruar Milloshit, pasha zotin mos na shtini me dal prej sistemit. Po më vjen shumë keq z. kryeministër atë kontributin që e ke dhënë në luftë, veç ju pret një punë shumë e vështirë, ndoshta duhet me e pas edhe stupcin. Prej Ahmet Pllanës drejtor e deri te pastruesi, as nuk ka ligj, as rregull, as respekt.”

Kurse kryeministri Haradinaj pasi dëgjoi edhe shqetësimet e tjera të punëtorëve, u shpreh se do të mundohet ti zgjidhë në afat sa më të shkurtër, duke caktuar një takim tjetër pas një muaji./Lugina-Lajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *