Katari të heq dorë nga mbështetja e Hamasit dhe Vëllazërisë Muslimane”

55

“Ne duam që Katari ta mbajë fjalën e dhënë para disa viteve lidhur me mbështetjen e grupeve ekstremiste”, ka thënë Al-Xhubeir.

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel bin Ahmed Al-Xhubeir ka thënë se nëse Katari dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve, atëherë duhet të hedh një sërë hapash, në mesin e tyre t’i japë fund mbështetjes për Hamasin dhe Vëllazërinë Muslimane, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për përfaqësues të mediave në Paris lidhur me krizën e fundit me Katarin, shefi i diplomacisë saudite ka theksuar se Katari e di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe shtetet e tjera arabe.

“Ne duam që Katari ta mbajë fjalën e dhënë para disa viteve lidhur me mbështetjen e grupeve ekstremiste. Këtu përfshihet edhe qëndrimi armiqësor i medias së këtij shteti dhe ndërhyrja në punët e shteteve të tjera”, ka thënë Al-Xhubeir.

Ai ka thënë se askush nuk dëshiron ta dëmtojë Katarin dhe se ndërprerja e marrëdhënieve dipomatike ka ardhur në mënyrë që, siç është shprehur, Katari të kuptojë se politikat e tij nuk janë të qëndrueshme dhe duhet ndryshuar.

“Katari dëmton qeverinë palestineze dhe Egjiptin duke mbështetur Hamasin dhe Vëllazërinë Muslimane. Ne mendojmë se kjo gjë nuk është e mirë. Katari duhet t’i japë fund këtyre politikave në mënyrë që të kontribuojë në stabilitetin e Lindjes së Mesme”, ka potencuar Al-Xhubeir.

Ai paralajmëroi se sanksionet ndaj Katarit do t’i kushtojnë shumë këtij vendi. “Ne shpresojmë që arsyeja e shëndoshë dhe logjika do ta bind Katarin të hedh hapin e duhur. Këto vendime që ne kemi marrë janë të ashpra dhe do t’i kushtojnë mjaft Katarit. Ne nuk besojmë se Katari do të dëshirojë ta paguajë këtë çmim”, ka shtuar Al-Xhubeir.

Në pyetjen nëse do të ketë sanksione ushtarake ndaj Dohas, kryediplomati saudit tha se “Shpresoj të mos ketë”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *