Ardita Sinani: Përdorimi i simboleve kombëtare dhe tekstet në gjuhën shqipe, ende sfidë për shqiptarët e Preshevës

134

imageArdita Sinani është Kryetare e Kuvendit Komunal të Preshevës. Si bartëse e listës në zgjedhjet e fundit lokale në Serbi, ajo arriti të marrë drejtimin e Kuvendit Komunal të Preshevës, duke u bërë femra e parë e cila drejton këtë institucion. Angazhimi i saj si profesoreshë në gjimnazin e Bujanocit, e më pastaj edhe në atë të Preshevës bënë që znj. Sinani të jetë më afër sfidave dhe problemeve me të cilat përballën shqiptarët në Luginë të Preshevës. Pas angazhimit të saj për zgjedhjet e fundit lokale në Serbi, ajo kishte thënë për mediat se femra në politikë, krijon atmosferë më të qetë. Në një intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, Ardita Sinani flet për pozitën aktuale të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, problemet dhe sfidat e tyre, interesin e Kosovës dhe Shqipërisë, e po ashtu edhe për qasjen e Beogradit zyrtar karshi shqiptarëve të Luginës.

Mes tjerash ajo kujton se ‘sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Preshevë janë të shumta’, prandaj ajo mendon se ‘qasja e Beogradit zyrtar mund të ndryshojë karshi shqiptarëve të Luginës së Preshevës, vetëm përmes kushtëzimit nga faktori ndërkombëtar drejtuar Beogradit për t’u integruar në BE’.

GeR: Znj. Sinani, viti 2001 konsiderohet viti i një kthese për pozicionin e Luginës së Preshevës, por pas gjithë atyre peripecive dhe pas një periudhe të gjatë nëpër të cilën ka kaluar Lugina, ku është Presheva sot?

Sinani: Pas të gjitha peripecive, Lugina e Preshevës gjendet në vendet më të pazhvilluara, gjendja katastrofale dhe e mjerueshme në të gjitha sferat e jetës njerëzore.

GeR: Na thoni cilat janë problemet dhe sfidat kryesore me të cilat përballen shqiptaret në Preshevë?

Sinani: Sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Preshevë janë të shumta, pazhvillueshmëria ekonomike është problemi kryesor. Sa i përket zhvillimit ekonomik, problem paraqet fakti se prodhuesit tanë nuk kanë mundësi se ku t’i plasojnë produktet veta, dhe kjo si pasojë e barrierave administrative e kufitare. Pengesë bëhet edhe fakti se në qytetet tjera në Serbi nuk pranohen produktet e prodhuesve tanë. Papunësia është shumë e madhe. Të rinjtë e Luginës çdo ditë ikin drejt vendeve të perëndimit, ku ndër arsyet është edhe mosnjohja e diplomave të Kosovës, mos nostrifikimi i tyre por edhe procedurat burokratike nga qeveria serbe për diplomat e universiteteve të Tiranës apo Shkupit. Po ashtu problem tjetër është edhe largimi i gjykatës, mungesa me tekste mësimore dhe shumë e shumë problematika tjera.

GeR: Çështjet si Lapidari, përdorimi i simboleve kombëtare, përdorimi i librave në gjuhën amtare kanë qenë sfida që e kanë ndjekur raportin e politikë-bërësve në Preshevë karshi Beogradit zyrtar. Me ardhjen e garniturave të reja në Preshevë, a ka ndryshuar qasja e Serbisë ndaj këtyre çështjeve?

Sinani: Përdorimi i simboleve kombëtare, përdorimi i librave në gjuhën shqipe ende janë sfida për ne. Qasja e Beogradit zyrtar mund të ndryshojë karshi shqiptarëve të Luginës së Preshevës vetëm përmes kushtëzimit nga faktori ndërkombëtar drejtuar Beogradit për t’u integruar në BE. Jemi në prag të hapjes së kapitujve 23-24, ku përfshihen direkt të drejtat e njeriut dhe pakicave kombëtare. Ne si pakica nacionale, të drejtat tona i kemi të cunguara në krahasim me pakicat tjera si ato hungareze apo boshnjake, tani është momenti që edhe ne të dimë të kërkojmë të drejtat tona elementare dhe të kërkojmë zgjidhjen e të gjitha problemeve në mënyrë institucionale, që qasja e Qeverisë së Serbisë karshi nesh të jetë ndryshe prej viteve tjera e deri më tani.

GeR: Si do ta vlerësonit qasjen e Republikës së Kosovës ndaj Luginës së Preshevës karshi të gjitha atyre nevojave e problemeve me të cilat përballet shqiptari i Luginës e që Kosova do të mund të bënte diçka?

Sinani: Me të gjitha ato problemet e brendshme e të numërta që i ka Republika e Kosovës, interesimi është shumë i madh dhe serioz, qasja pozitive. Takimet e këtyre muajve të fundit duke filluar me ministren Edita Tahirin, zv. ministrin e Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, zv. ministren e Arsimit Anila Statovcin, Kryeparlamentarin Kadri Veselin dhe tani takimi i fundit me presidentin Hashim Thaçin, janë tregues që ne të kemi mundësi t’i paraqesim nevojat dhe problemet me të cilat po ballafaqohemi dhe presim rezultate konkrete.

b

GeR: Po ashtu, si do ta vlerësonit qasjen e Republikës së Shqipërisë ndaj Luginës së Preshevës dhe nevojave që ajo ka?

Sinani: Qasjet e dy shteteve amë, e asaj të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës janë shumë me peshë dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për ne. Kërkesat e nevojat tona drejtuar të dy shteteve amë e që të përcillen institucionalisht dhe në nivel shtetëror në Beogradin zyrtar kanë një ndikim më të madh dhe realizimi i atyre kërkesave do të jetë më praktik e më pragmatik. Me këtë po nënkuptojmë që nuk jemi të lënë anash por e kemi vëmendjen e plotë nga dy shtetet tona amë. Interesimi i të dy qeverive ekziston, por pengesat e njohura për shkak raporteve të ngrira që po zhvillohen në Bruksel mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë mundësitë janë më të vogla për të na ndihmuar. Ndërsa me qeverinë e Shqipërisë më i afërt është bashkëpunimi sepse qeveria e Serbisë ka gatishmërinë, prandaj mundësitë janë më të mëdha në realizimin e kërkesave tona.

c

GeR: Vizitat e kryeministrit të Shqipërisë në Serbi dhe takimet e tij me homologun serb Vuçiç a kanë pasur ndonjë ndikim pozitiv deri më tani?

Sinani: Kusht i domosdoshëm i Beogradit zyrtar për t’u integruar në BE është realizimi i të drejtave të pakicave, por vizita e kryeministrit Rama ka pasur ndikimin më pozitiv dhe gatishmërinë konkrete që kemi pas deri më tani sa që kryeministri Rama edhe agjendën e takimeve e ndryshoi për ne, gjatë tërë vizitës së tij në Beograd na mbante pranë. Kërkesat e tij drejtuar homologut të tij ishin konkrete e pragmatike e që në të ardhmen e afërt do të jenë të realizueshme për ne. Atmosferën e klimën që e krijoi z. Rama nuk e kemi pasur asnjëherë më parë gjë që për ne ka vlerë jashtëzakonisht të madhe. Gjatë takimit me të u diskutuan zgjidhja e problemit të teksteve mësimore dhe bashkëpunimi mes dy ministrive të arsimit, problemet tjera në arsim si ajo e nostrifikimit të diplomave, dmth proceduarve burokratike për diplomat e Shqipërisë dhe Maqedonisë si dhe mos implementimi i marrëveshjes për njohjen dhe nostrifikimin e diplomave të Kosovës. Temë tjetër që ndihmon në tërheqjen e donacioneve nga Shqipëria ishte mundësia e binjakëzimit të komunave tona me ato të Shqipërisë gjë që mundësonte realizimin e projekteve konkrete. Pastaj forumi ekonomik është i një rëndësie të posaçme, mbetet për t’u parë që të shfrytëzohen kapacitetet e Luginës. Ne kërkuam nga Kryeministri Rama që investitorët shqiptar nga Shqipëria të koncentrohen drejt Luginës së Preshevës dhe të kenë bashkëpunim me biznesin tonë vendor dhe që produktet e prodhuesve tanë të plasohen në Shqipëri, e kur të bëhet kjo në nivel te dy shteteve normal që është një lehtësi shumë e madhe për bizneset tona.

GeR: Dhe për fund, para se të ju urojmë 28 nëntorin, Ditën e Flamurit. A do të festohet apo do të protestohet në Preshevë me 28. Nëntor?

Sinani: Dita e Flamurit është festë për shqiptarët kudo që gjinden, dhe ne me mundësitë e kapacitetet tona do të përpiqemi ta festojmë. Çështja e protestave nuk është e lidhur me 28 Nëntorin. Ato kanë efektin kur ka unitet mes subjekteve politike dhe në çfarëdo date mund të protestohet për tema të ndryshme. Urime Dita e Flamurit!/gazetaere.com/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *