Kamberi: Shqiptarët në Serbi nuk kanë fituar asgjë të rëndësishme nga bisedimet e Brukselit

18

Belgzim-Kamberi11Kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, Belgzim Kamberi, në një intervistë dhënë Megapressit ka folur rreth bisedimeve Kosovë-Serbi, mundësinë e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia dhe gjendjen e shqiptarëve të Luginës në tërë këtë mes.

Megapress: Si do të ndikojë në bisedimet Kosovë-Serbi situata aktuale në Kosovë?

Kamberi: Të gjitha studimet dhe analizat rreth procesit të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel shpërfaqin dështimin e tyre në jetësimin e marrëveshjeve kryesore të arritura dhe në mungesën e një vizioni e agjende të qartë për qëllimin e tyre përfundimtar. Në këtë kuptim, nuk mendoj se problemi është situata e fundit politike në Kosovë, por vet dialogu si i tillë, korniza dhe përmbajtja e tij. Dinamika e këtij dialogu mund të ngadalësohet për shkak të gjendjes politike në Kosovë dhe të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, gjë që është mirë, nëse kjo periudhë do të shfrytëzohej për reflektim lidhur me këtë dialog.

Megapress: Shqiptarët në Serbi sa kanë fituar nga këto bisedime deri më sot?

Kamberi: Shqiptarët në Serbi nuk kanë fituar asgjë të rëndësishme nga këto bisedime. Mbase çështja e tyre është temë e ndaluar e këtyre bisedimeve. Njohja reciproke e diplomave është një nga çështjet e pakta që prekin shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por, marrëveshja e parë dështoi asokohe në implementim zyrtarisht për shkak të vendimit të atëhershëm të Gjykatës Kushtetuese së Serbisë. Tani paralajmërohet jetësimi i marrëveshjes së re të arritur ne Bruksel; por personalisht mbetem skeptik në implementimin e saj, si dhe të çdo marrëveshjeve të këtij dialogu, përderisa zhvillohet nën këtë kornizë. Ky dialog është dizajnuar për të biseduar vetëm për çështjet brenda Kosovës, jo brenda Serbisë. Përmes kësaj kuptohet realisht më së miri sesa asimetrik është ky dialog dhe se ai i shërben para së gjithash interesave të Serbisë në Kosovë. Përderisa Serbia insiston vazhdimisht për të biseduar me Kosovën për çështjet brenda Kosovës ; ajo bllokon që 15 vjet çdo mundësi dialogu me shqiptarët e Luginës. Më shumë se dialog midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, mendoj se – në këtë fazë – më i dobishëm është dialogu midis Beogradit me shqiptarët e Luginës, si dhe Prishtinës me serbët e Kosovës; sado që janë problematika të ndryshme, me veçoritë e tyre.

Megapress: A ka kuptim të bisedohet me Serbinë pas pakënaqësive të shtuara në Kosovë ndaj “Zajednicës”?

Kamberi: Cili është kuptimi të bisedoni me një shtet fqinj për rregullimin e juaj territorial, administrativ dhe kushtetues; nëse jeni shtet i pavarur dhe sovran ? « Zajednica » jo vetëm e cënon sot sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës dhe nesër funksionalitetin e saj, por edhe dëshmon se vetë Prishtina zyrtare pranon se nuk është shtet i pavarur dhe sovran duke e pranuar « Zajednicën » si rezultat të bisedimeve me Serbinë. Pse nuk bisedohet për shembull për çështjet e ri-rregullimit territorial, administrativ dhe kushtetues të Serbisë, si vendi më i centralizuar i rajonit dhe si një shtet të dominuar në të gjitha aspektet nga kombësia shumicë serbe dhe si një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës?

Megapress: A ka shpresë për njohjen e Kosovës nga Serbia?

Kamberi: Nuk mendoj se Serbia mund ta njohë në një të ardhme të afërt Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Në rastin më të mirë, ajo do të mund ta bënte vetëm pasi do ta realizonte një autonomi politike dhe territoriale të saj brenda Kosovës; që do ta shihte si vegël të vazhdueshme të saj, veçmas në rrethana të reja gjeopolitike. Ndonëse duket “stabile” dhe “bashkëpunuese”; mendoj se Serbia e Vuçiqit mbetet problematike dhe faktori kryesor kërcënues për rajonin. Në këtë fazë të paqartësive politike, ajo e ruan status-quon me kartat politike:“Edhe BE, edhe Rusia”; “Edhe Kosova, edhe BE”. Por gradualisht, ajo do t’i shfaqë sërish ambiciet e saj territoriale në rajon – sidomos në Kosovë dhe në Bosnje, përpos nëse vërtetë në Serbi ndodhë ndonjë ndryshim i madh progresist, që nuk duket fare në horizont edhe për një kohë relativisht të gjatë. Sido që të jetë, për momentin duket se jemi në fazën e përpjekjeve të Serbisë për realizimin e autonomisë së saj në Kosovë dhe shumë larg mundësisë së njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Serbia. Mosnjohja e Kosovës së pavarur dhe sovrane (sidomos nga Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe nga pesë vendet e BE) dhe veçanërisht dialogu në Bruksel si proces “alternativ” është pjesë e dështimeve të politikave të Perëndimit në Ballkan, që do të mund të shfrytëzohet në të ardhmën nga supefuqitë e tjera globale. Në këtë kuptim, kam përshtypjen se më shumë po shkojmë drejt përplasjeve të ardhme, sesa drejt normalizimit të tanishëm të marrëdhënieve./Megapress.info/ – /Lugina-Lajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *