Shaip Kamberi: Serbia po e spastron Luginën

79

ShaipKamberi (1)Serbia po bën spastrim etnik të Luginës së Preshevës, duke e bërë pasivizimin e vendbanimeve të shqiptarëve. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili ditë më parë ka kërkuar në legjislativ përgjigje nga ministri i Brendshëm serb në lidhje me numrin e shqiptarëve që u janë pasivizuar vendbanimet.
Me pasivizimin e vendbanimeve, shqiptarëve po u pamundësohet të marrin pjesë në votimet lokale, duke ua rrezikuar mbajtjen e pushtetit në Bujanoc dhe Medvegjë, të përfitojnë nga asistenca sociale, pasi që nuk u jepen dokumentet personale.
Deputeti Kamberi pranon se në spastrimin etnik të Luginës, po kontribuojnë edhe disa policë shqiptarë në kuadër të Policisë së Serbisë.

Zëri: E keni ngritur ditë më parë në Parlamentin e Serbisë çështjen e pasivizimit të vendbanimeve shqiptare të Luginës nga Policia e Serbisë. Sa është numri i rasteve të tilla dhe çfarë përgjigje keni marrë nga ministri i Brendshëm?

Kamberi: Nuk kemi ndonjë dokument zyrtar dhe problemi është se shumica e shqiptarëve nuk i paraqesin problemet e tilla, prandaj nuk mund të flas për një numër të saktë. Unë kërkova nga Ministria e Brendshme e Serbisë të më japin përgjigjen se sa është numri i saktë i vendbanimeve të pasivizuara të shqiptarëve në Luginë.

Vetëm në Bujanoc, sipas disa statistikave jo shumë të sakta, 100 shqiptarëve u janë fshirë vendbanimet, ndërsa në Preshevë 50 vetave. Për Medvegjë nuk na kanë dhënë ndonjë përgjigje në këtë drejtim. Unë e kam ngritur këtë problem në Parlamentin e Serbisë dhe për t’ua bërë me dije qytetarëve se e kanë mundësinë e ndjekjes së rrugës tjetër të realizimit të së drejtës së tyre, nëpërmjet Gjykatës së Strazburgut. Ia bëra me dije shtetit se mund të organizojmë qytetarë edhe në këtë formë.

Zëri: A është kjo arsyeja e spastrimit etnik të Luginës nga një shtet që pretendon të integrohet në BE?

Kamberi: Që nga përfundimi i luftës në Kosovë kur ushtria serbe është vendosur në zonën tokësore të sigurisë, e që nënkupton se është vendosur në vendbanimet kryekëput shqiptare, konsideroj se 1500 shqiptarë nga Presheva janë larguar në atë periudhë, 3 mijë nga Bujanoci dhe rreth diku 3 mijë nga Medvegja. Dhe nëse të gjithë këtyre qytetarëve u pasivizohen vendbanimet dhe ndërkohë që shteti nuk ka bërë asgjë për t’i krijuar kushtet ekonomike për t’u kthyer ata, patjetër se do të konsiderohet si pastrim etnik.

Edhe policët shqiptarë po kontribuojnë në spastrimin e Luginës

Zëri: A po kontribuojnë në këtë spastrim edhe policët shqiptarë në kuadër të Policisë serbe?

Kamberi: Në shumë zona verifikimin e banorëve e bëjnë policia lokale, në mesin e tyre ka edhe shqiptarë. Sigurisht se edhe me ta duhet një bisedë shumë e qartë sepse ndodhin raste që shkon një herë dhe dy herë dhe nuk e gjen në shtëpi personin edhe pse askush nuk është i obliguar të rrijë gjithë ditën në shtëpi dhe vetëm në bazë të këtij informacioni tepër formal, fshihen qytetarët.

Zëri: Përpos ngritjes së çështjes në Parlament, si përfaqësues të shqiptarëve pse nuk e dërgoni këtë çështje në Gjykatën e Strasburgut?

Kamberi: Ne mund t’ua dërgojmë pyetjen e njëjtë ambasadave të akredituara në Beograd, por sa i përket Gjykatës së Strasburgut kjo është e drejtë personale për çdo qytetar. Ne mund t’i japim asistencë juridike, t’i organizojmë, por duhet qytetari personalisht me kërkesën me emër, mbiemër, me numër personal ta adresojë.

Zëri: Në Raportin e Progresit për Serbinë të Komisionit Evropian fare pak përmendet diskriminimi i shqiptarëve në Serbi. Madje, kjo çështja e pasivizimit as që përmendet diku në Raport. A është ky dështim i klasës politike në Luginë për t’i sensibilizuar institucionet ndërkombëtare me këtë problematikë?

Kamberi: Jo vetëm pasivizimi, por ka edhe shumë çështje tjera të ndjeshme që nuk janë përmendur në Raportin e Progresit për Serbinë. Nuk është përmendur mosnjohja e diplomave të shqiptarëve, nuk janë përmendur problemet e arsimit, tekstet shkollore që u mungojnë fëmijëve tanë. Por janë dy-tre elemente shumë të rëndësishme që janë përmendur, është çështja e rifillimit të dialogut të Qeverisë në Beograd me liderët politikë shqiptarë, respektivisht institucionalë shqiptarë dhe çështja e moszhvillimit ekonomik të rajonit dhe ajo që është më e rëndësishmja që u përmend është çështja e njohurisë apo bërjes me dije nga Bashkimi Evropian Serbisë se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në mënyrë adekuate në institucionet publike

Zëri: A do të mundë Serbia të bëhet pjesë e BE-së me diskriminimet e tilla ndaj pakicës shqiptare?

Kamberi: Është shumë e qartë se asnjë shtet pa i përmbushur standardet që i ka Bashkimi Evropian në të gjitha lëmitë, por edhe në lëmin e respektimit të të drejtave individuale, kolektive, të drejtave të pakicave, nuk mund të jetë anëtare e BE-së dhe në këtë aspekt e ka të qartë edhe Serbia tek kur filloi biseda ose hapja e kapitujve sidomos 23 dhe 24 atëherë do të fillojë realizimi i çështjeve konkrete. Ne e kemi shtruar çështjen e mungesës së Gjykatës në Preshevë, prokurorisë komunale, çështja e pasivizimit të vendbanimeve, çështjeve e teksteve shkollore dhe shume çështje tjera që janë në kuadër të planit shtatëpikësh që faktori politik shqiptar e ka bërë dhe për të cilin duhet dialog me qeverinë në Beograd.

Zëri: A ia keni shprehur këtë shqetësim ministres Edita Tahiri për ta ngritur pasivizimin e vendbanimeve në bisedimet që po zhvillohen me Serbinë në Bruksel?

Kamberi: Kemi pasur disa takime me znj. Tahiri për tema të ndryshme, mirëpo për pasivizimin ende nuk kemi diskutuar. Kemi biseduar edhe me kryeministrin Mustafa edhe për mungesë të teksteve shkollore në Luginë, me ministrin e arsimit, Arsim Bajrami. Problemi qëndron se Serbia ende nuk jep leje politike për t’i përdorur ato libra dhe ato qëndrojnë në terminalin doganor në Preshevë.

Zëri: Si e komentoni dështimin që Kosova të bëhet pjesë e UNESCO-s?

Kamberi: Të gjithë kemi pritur që Kosova ta fitojë edhe këtë betejë. Është vështirë të jepet përgjigje dështimi, sidomos për shkak të mungesës së përkrahjes nga tre miqtë kryesor të Shteteve të Bashkuara si: Japonia, Korea e Jugut dhe Polonia. Është diçka e pashpjegueshme, ndoshta prapaskena të saj janë edhe lojërat politike që po zhvillohen edhe rreth Serbisë, edhe rreth Ballkanit, Ukrainës apo Sirisë. Në esencë unë shpresoj që Kosova të nisë beteja tjera anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe mekanizma tjerë regjionalë që të ketë suksese.

Zëri: A duhet të rishikohet Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilën tashmë e ka pezulluar Kushtetuesja?

Kamberi: Rruga e drejtë për rishikimin e saj është Gjykata Kushtetuese dhe çdokush që e respekton një shtet duhet të respektojë një vendim të tillë institucional. Besoj që ajo që është e domosdoshme që të nxitet një dialog i mirëfilltë pozitë- opozitë, sepse edhe opozita duhet të jetë më e hapur për këtë çështje. Fundja Asociacioni dhe problemet që ekzistojnë në Kosovë nuk janë vetëm çështje të opozitës, por janë edhe pjesë e pozitës. Të gjendet mundësia që të gjitha këto dallime të tejkalohen, qoftë edhe në momentin kur të hartohet statuti i Asociacionit, në të kundërtën me problemet e tilla vështirë se do të ketë një progres. /Zeri/ – /Lugina-Lajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *