Kamberi: 15 vjet pas luftës, shqiptarët ende të diskriminuar

116

maxresdefaultDeputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se shqiptarët në Luginën e Preshevës, edhe 15 vjet pas konfliktit të armatosur, vazhdojnë të diskriminohen nga shteti serb. Kamberi ka thënë se Qeveria e Serbisë po injoron kërkesat e dy deputetëve shqiptarë atje sikurse po i injoron kërkesat për më shumë të drejta në Luginë.

Në 15-vjetorin e konfrontimit të parë të armatosur në fshatin Dobrosin (15 nëntor 2000), që i hapi rrugë dy muaj më pas formimit të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), Kamberi ka thënë se pozita e shqiptarëve në avancimin e të drejtave shumë pak ka përparuar. Në një intervistë për “Zërin” ai ka thënë se pas luftës falë prezencës së vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare në Luginë u realizuan disa projekte të rëndësishme për shqiptarët, megjithatë Serbia, sipas tij, nuk ka treguar gatishmërinë dhe vullnetin politik për të mundësuar integrimin e shqiptarëve në institucionet publike, nuk u ndihmua as zhvillimi ekonomik dhe si pasojë Presheva, Bujanoci e Medvegja mbeten komunat më të pazhvilluara në Serbi.

Sipas përfaqësuesit të shqiptarëve në Parlamentin serb, të drejtat në arsim, në përfaqësim në institucionet publike, në përdorim të simboleve kombëtare dhe përdorim zyrtar të gjuhës janë të drejta nga Korpusi i të Drejtave Kolektive, që po shkelen në vazhdimësi.

Zëri: Këtë muaj u bënë 15 vjet nga fillimi i konfliktit me forcat serbe në Dobrosin. 15 vjet pas, cila është pozita e shqiptarëve në Luginë?

Kamberi: Konflikti i armatosur i 15 vjetëve më parë ka shënuar kulmin e sensibilizimit të pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Si rezultat i ekzistimit të këtij konflikti, në Luginë të Preshevës atëherë erdhi gjithë bashkësia ndërkombëtare (NATO, BE, OSBE, UNHCR, USAID dhe organizata tjera). Qeveria serbe u detyrua që për zgjidhjen e krizës të ofrojë program të veçantë, komponentët e të cilit, veç përfundimit paqësor të konfliktit, ishin edhe integrimi i shqiptarëve në institucionet lokale dhe publike, zhvillimi ekonomik i rajonit dhe krijimi i kushteve për kthimin e popullatës së zhvendosur.

Falë prezencës së vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare në Luginë u realizuan disa projekte të rëndësishme: shqiptarët arritën të fitojnë shumicën në Komunën e Bujanocit, u realizua projekti i policisë multietnike, u realizuan projekte të rëndësishme në infrastrukturë. Megjithatë, komponentët e rëndësishëm të këtij programi dhe synimeve të shqiptarëve mbetën të paprekura. Serbia nuk ka treguar gatishmërinë dhe vullnetin politik për të mundësuar integrimin e shqiptarëve në institucionet publike, nuk u ndihmua as zhvillimi ekonomik dhe si pasojë Presheva, Bujanoci e Medvegja mbeten komunat më të pazhvilluara. Gjithashtu nuk është bërë asgjë serioze për kthimin e popullatës së Karadakut të Preshevës, Malësisë së Bujanocit dhe Medvegjës, që ishte shpërngulur pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova dhe vendosjes së tyre në Zonën Tokësore të Sigurisë. Konsiderohet se rreth 1500 banorë nga Karadaku i Preshevës, 3 mijë nga Malësia e Bujanocit dhe 3 mijë nga Medvegja kanë braktisur shtëpitë e veta dhe janë zhvendosur në Kosovë.

Pra, pavarësisht arritjeve modeste mund të konsiderohet se jo vetëm Serbia, por as bashkësia ndërkombëtare nuk mbeti e përqendruar në realizimin e obligimeve ndaj Luginës së Preshevës.

Zëri: A ka ndryshuar trajtimi i shqiptarëve (për të mirë ose për të keq) nga ana e shtetit serb pas kësaj lufte?

Kamberi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të mbeten popullatë e diskriminuar. Sot ndoshta nuk përballen me dhunën policore, që ishte dukuri e përditshme gjatë viteve 1999 deri diku më 2003, por format e diskriminimit perfid, që ekzistojnë edhe sot, krijojnë situatë të pashpresë që po ndikon në largimin, gati në masë, të popullatës sonë.
Aksionet e herëpashershme të arrestimeve spektakolare për akuza të paqëndrueshme (edhe krime lufte), mosnjohja e diplomave të Kosovës, prapambeturia ekonomike, cenimi i shumë të drejtave në arsim, përdorim të gjuhës dhe simboleve kombëtare etj, janë karakteristikë e diskriminimit aktual, të cilët ndaj shqiptarëve zbatohet nga politika shtetërore.

Zëri: Sa respektohen të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës?

Kamberi: E përmenda më sipër se format e moderuara të diskriminimit e bëjnë po aq të padurueshme jetën e popullatës shqiptare sa ato të diskriminimit të egër në periudhat e mëhershme. Sot, Policia nuk të rrahë në rrugë vetëm se je shqiptar, por mosnjohja me vite të tëra të diplomës për një të ri është sinjal i fortë se ai e ka të vështirë të bëjë diçka për jetën e vet.
Të drejtat në arsim, në përfaqësim në institucionet publike, në përdorim të simboleve kombëtare dhe përdorim zyrtar të gjuhës janë të drejta nga Korpusi i të Drejtave Kolektive, që po shkelen.

Zëri: Cilat janë shqetësimet e juaja më të mëdha për pozitën e shqiptarëve atje?

Kamberi: I përmenda rastet dhe format e diskriminimit modern që Serbia po aplikon ndaj shqiptarëve. Nga përvoja e shkuar që kemi, mund të them se Serbia ka vepruar në Luginë të Preshevës vetëm atëherë kur përqendrimi i bashkësisë ndërkombëtare ka qenë i madh. As edhe një projekt nuk është realizuar nëse vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare nuk ka qenë e përqendruar në këtë rajon.

Sot ndiejmë brengosje për faktin e mungesës së përqendrimit të mjaftueshëm të bashkësisë ndërkombëtare për Luginën e Preshevës. Ajo disi e orientuar në prioritetet e tjera nuk kujdeset për Luginën e Preshevës. Edhe Raporti i fundit i Progresit për Serbinë nuk i kushton vëmendje të mjaftueshme Luginës së Preshevës,fakt që përmend çështjen e ndjeshme të nënpërfaqësimit, të pazhvillueshmërisë ekonomike dhe të mungesës së dialogut. Por, po ashtu janë anashkaluar problemet jetësore siç është çështja e diplomave apo edhe e teksteve shkollore.

Sa i përket këtyre të fundit në raport me Raportin e Progresit për Serbinë mund të them se ekziston edhe një faj i madh i Këshillit Kombëtar Shqiptar. I vetmi përfaqësues shqiptar i Luginës së Preshevës që është takuar me ekipet e ekspertëve të BE-së, që kanë vizituar Serbinë në kërkim të informatave relevante për Raport, ka qenë kryetari i KKSH-së. Prandaj, mungesa e këtyre çështjeve në Raport është faji i KKSH-së.

Zëri: Si është gjendja ekonomike e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë?

Kamberi: Veç cenimit të Korpusit të të Drejtave Kolektive, është pazhvillimi ekonomik i rajonit që shkakton brengosjen më serioze. Papunësia arrin shkallën deri në 70 për qind, ndërsa Qeveria nuk ka asnjë program serioz që ta ndryshojë gjendjen. Dhënia e disa subvencioneve biznesit lokal është më tepër një simbolikë e arsyetimit të Serbisë ndaj bashkësisë ndërkombëtare sesa ndonjë stimul i vërtetë ekonomik. As edhe një investitor nuk është sjellë në këtë rajon sepse rruga e investitorëve të huaj kalon nga Beogradi. Edhe ato iniciativa individuale, që në të kaluarën kanë ekzistuar për investim p.sh. në Banjën e Bujanocit, kanë hasur në rezistencën e Beogradit.

Zëri: Sa po dëgjohet zëri i deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Serbisë?

Kamberi: Mjerisht, sikurse qeveritë e mëhershme serbe edhe kjo e tashmja nuk tregon gatishmëri për bashkëpunim serioz dhe të sinqertë me deputetët shqiptarë. Duke qenë opozitë e dyfishtë, politike dhe nacionale, roli i deputetëve kufizohet vetëm në paraqitjen e kërkesave qoftë ndaj autoriteteve vendore, qoftë ndaj atyre ndërkombëtare. Në të shumtën e rasteve përgjigjet në kërkesat e shtruara ose janë tepër burokratike, ose fare nuk ka përgjigje në ato kërkesa.

Zëri: Gjykata nga Presheva tani është larguar dhe është vendosur në Vranjë. A është i arsyeshëm ky vendim?

Kamberi: Presheva mbetet komuna, e cila është zhveshur nga institucionet e gjyqësorit. Aktualisht në Preshevë funksionon vetëm Gjykata për Kundërvajtje. Aplikimi i rezultateve të falsifikuara të regjistrimit të popullatës së vitit 2011, të cilin shqiptarët e bojkotuan, i morën Preshevës edhe njësinë gjyqësore që ishte pjesë e Gjykatës Themelore nga Vranja. Sipas këtyre rezultateve, të regjistrimit të bojkotuar, në mbarë Serbinë janë regjistruar vetëm 5800 shqiptarë. Në momentin e aprovimit të ligjit, Qeveria operonte me shifrat për vetëm 3500 banorë në mbarë komunën e Preshevës, që e përdori si argument kyç për shuarjen e gjykatës në Preshevë. Megjithatë, nën presionin e BE-së dhe Këshillit të Evropës Serbia u detyrua të bëjë vlerësim të veçantë të popullatës për këto komuna.

Së fundmi, raporti i ekspertëve ndërkombëtarë flet se Presheva sot ka mbi 28 mijë banorë. Në këtë aspekt, edhe pse mendojmë se as vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtarë nuk paraqesin gjendjen reale të popullatës rezidente në Luginë të Preshevës, prapëseprapë vlerësimi është i mjaftueshëm që të ndikojë në ndryshimin e Ligjit për Gjykata në drejtim të krijimit të Gjykatës Themelore për këtë komunë. Është simptomatike që qeverisja lokale në Preshevë është tepër pasive në sensibilizimin e kësaj çështjeje, sepse veç reagimit fillestar, kur është hequr gjykata, reagim tjetër nuk ka pasur. Së fundmi, në cilësinë e deputetëve, e bazuar në statistikat e reja relevante për Preshevën, kemi shtruar pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për rishikimin e Ligjit për Gjykatat në raport me këtë komunë. Jemi në pritje të përgjigjes./Zeri/ – /Lugina-Lajm/

 



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *