Kamberi: Serbia po ua mohon shqiptarëve të drejtat kushtetuese!

52

10678832_10152432427976300_5890034183083676482_nLugina e Preshevës vazhdon të mbetet e anashkaluar nga politika në Kosovë dhe Shqipëri. Deputeti shqiptar i Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një intervistë për Gazetën Tribuna, deklaroi se shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk gëzojnë as të drejtat minimale që i ofron Serbia se lëre më ato që i cakton e drejta ndërkombëtare. Kamberi vazhdoi se Kuvendi i Këshilltarëve të Luginës së Preshevës, kanë bërë kërkesë që nga 2006 për më shumë të drejta për shqiptarët por se Serbia e shmang çdo lloj paralelizmi në mes të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë.

Tribuna: A keni bërë kërkesë që në kuadër të drejtave që u jepen serbëve në Kosovë, t’u jepen të drejta edhe shqiptarëve në Serbi, gjegjësisht Luginë të Preshevës?

Kamberi: Që me 2006, Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, një trup politik në të cilin janë të përfshirë gjitha partitë shqiptare që kanë këshilltarë nëpër kuvendet komunale Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka aprovuar Platformën politike në të cilën veç kërkesave të shumta të bazuara në të drejtën ndërkombëtare ka kërkuar reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë.

Pra një dokument bazë politik me të cilin janë deklaruar e kemi që nga ajo periudhë, i cili disa herë, brenda Kuvendit të këshilltarëve, me deklarata politike ka rikonfirmuar qëndrimin për reciprocitet.

Tribuna: Nëse keni bërë kërkesë tek kush e keni dërguar, te institucionet e Kosovës, të Serbisë apo të BE-së?

Kamberi: Gjithë këto dokumente, me kohë iu kanë adresuar edhe institucioneve në Kosovë e Shqipëri edhe përfaqësive diplomatike.

Tribuna: A u është përgjigjur të paktën dikush?

Kamberi: Përveç përkrahjeve verbale asgjë më tepër.

Tribuna: Cilat janë kërkesat konkrete për të drejtat e juaja?

Kamberi: Kërkesat tona janë për të drejtat individuale dhe kolektive të cilat janë të garantuara me standardet ndërkombëtare. Është absurde situata në të cilën Serbia kërkon të drejta mbi gjitha standardet për pakicën e vet në Kosovë, duke na mohuar ne edhe ato të drejta që janë të garantuara me të drejtën e Serbisë, e mos të flasim për standardet ndërkombëtare.

Tribuna: A ka ndryshime të relacioneve mes qeverisë serbe dhe komunitetit shqiptar që nga fillimi i negociatave të Kosovës me Serbinë?

Kamberi: Gjendja e vështirë në të cilën jetojnë shqiptarët në Luginë të Preshevës, flet qartë për raportin të cilin Serbia e mban ndaj nesh. Aq më tepër, Serbia mundohet të eliminojë çfarëdo paralelizmi mes të drejtave tona dhe serbëve në Kosovë. Por, është handikap se edhe faktori politik shqiptar, i përçarë çfarë është, është defaktorizuar në tërësi.  Herë me kërkesa të mëdha e në anën tjetër në koalicionet lokale me serbët që pengojnë edhe kërkesat më elementare, siç është p.sh. ajo e emërtimit të sheshit të Bujanocit me emërtimin “Skenderbej” flasin qartë  për gjendjen tonë.

Tribuna: Cila mendoni se është zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme, çfarë forme organizative ose asociacioni besoni se duhet të ketë Lugina e Preshevës?

Kamberi: Zgjidhja më e drejtë afatgjate për stabilitetin e rajonit është krijimi i standardeve unike për të drejtat kolektive që do të jenë vlejnë për të gjithë. Kjo që po ndodh me të drejtat e serbëve të krijimit të pakicave të privilegjuara me mundësi të keqpërdorimit të të drejtave që po i jepen mund ta eskalojë edhe më teëpr situatën.

Tribuna: Sa ka unitet në lidhje me këto çështje udhëheqja politike shqiptare në Luginë?

Kamberi: Unitet për marketing politik nuk nevojitet. Në rastin e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë më 2013, u pa se uniteti ishte i rrejshëm. Deklarimet e fjalëve “të mëdha” e hiç veprave  na shkaktoi nënçmimin më të madh kur xhandarmeria e hoqi Lapidarin.

Tribuna: A mund që çështja shqiptare në Luginë ta bllokoj anëtarësimin e Serbisë në BE?

Kamberi: Çështja e Kosovës dhe raportet e Serbisë me Shqipërinë mund të jenë pengesë e integrimit të Serbisë në BE, por, dyshoj se ne kemi kapacitet që vetëm për të drejtat e tona ta bllokojmë rrugëtimin e Serbisë. Aq më tepër, nuk ka përkrahje të mjaftueshme për kërkesat e tona as në politikën mbarëshqiptare, nëse ka të tillë./Gazeta-Tribuna/ – /Lugina-Lajm/




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *